Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Evropa ka bërë progres në përballjen me pandeminë.
Ajo është shprehur se për herë të parë në histori është krijuar një plan rimëkëmbje i financuar nga BE, për të ndihmuar çdo shtet anëtar të rimëkëmbet nga kriza dhe të riformojë ekonominë e tij, raporton BBC.
“Në dy vitet e fundit Evropa ka bërë një hap të ri përpara, duke zhvilluar përgjigjen e saj ndaj pandemisë. Për herë të parë në historinë tonë ne kemi bashkuar forcat për të prodhuar dhe blerë vaksina për të gjithë evropianët. Falë kësaj zgjedhjeje sot kemi të gjitha dozat e nevojshme për të përballuar valën e katërt të pandemisë. Dhe për herë të parë në histori ne kemi krijuar një plan rimëkëmbjeje, të financuar nga Bashkimi Evropian, për të ndihmuar çdo shtet anëtar të rimëkëmbet nga kriza dhe të riformojë ekonominë e tij”, tha ajo.
“Ne e quajtëm atë ‘Next GenerationEU’. Me këto dy vendime ne kemi hyrë tashmë në një fazë të re në historinë e Bashkimit”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.