Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër disa zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën, kanë dëmtuar monumentet historike dhe i kanë ndihmuar disa investitorëve të ndërtojnë ndërtesë në kundërshtim me lejet për ndërtim.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se më 22 shkurt të vitit 2019, drejtori i Inspeksionit, I.Th., drejtori i Urbanizmit F.M., bashkëpuntori profesional i drejtorisë së Urbanizmit R.M., inspektori i ndërtimtarisë prandë drejtorisë për Isnpeksion E.B., dhe shefja e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, K.K., i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare.
“Sipas aktakuzës, me datë 22.02.2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, F.M., në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor të Komunës së Prizrenit, R.M., në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor të Komunës së Prizreni, E.B., si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe K.K., në cilësi të Shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”.
“Si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K., dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të ndërtimtarisë të Drejtorisë së inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 03.12.2018, ndërprenë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim, duke u lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime të pandehurit e lartëcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit A.K., dhe V.K., me datë 08.05.2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1 nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.
“Me këto veprime, të pandehurit A.K., dhe V.K., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit A.K., dhe V.K., prej datës 08.05.2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2. Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu tu shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhëri për publikimin e aktgjykimeve”.