Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për 300 qelitë e burgjeve

Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për 300 qelitë e burgjeve

Në objektin e Qeverisë së Kosovës, është nënshkruar marrëveshja për 300 qelitë me qira që Kosova do t’ia lëshoj Danimarkës, raporton Gazeta Enigma.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë përfaqësues nga Mbretëria e Danimarkës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit dhe sipas saj për këtë arsye është përzgjedhur.

“Në qendrën korrektuese do të vendosen 300 të burgosur në një afat 5+5”, deklaroi shkurt Haxhiu, e cila njoftoi se detajet më të hollësishme do të jepen më vonë.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup  ka thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dy palët.

Ai ka përmendur mungesën e hapësirave në burgjet e Danimarkës, duke falënderuar Kosovën për mundësinë e zhvendosjes së të burgosurve.

“Marrëveshja ka filluar të dialogohet nga Qeveria e kaluar mirëpo është vazhduar me Qeverinë aktuale. Kjo marrëveshje në masë të madhe do t’i zgjidhë problemet e Danimarkës”, deklaroi Hakkerup.

Qendra Korrektuese në Gjilan planifikohet tu jepet me qira danezëve, duke qenë se zyrtarë të lartë të institucioneve korrektuese të Danimarkës në tetor të 2020-s kishin vizituar Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe kjo qendër korrektuese ishte preferuar nga ta.

Marrëveshja është për të burgosurit me 10 vite dënim nga gjykatat në Danimarkë, në të cilën nuk përfshihen vepra të terrorizmit dhe të personave me probleme mendore.

Pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, si edhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Ky projekt synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve në Danimarkë dhe të jap mundësi që burgjet atje të zgjerohen me 326 vende gjatë periudhës kohore 2022 dhe 2025. /Gazeta Enigma/.

Related Articles