Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë, ka publikuar të dhënat që tregojnë një deficit tregtar më të lartë për 38.9 përqind në muajin nëntor të këtij viti.
Në raport thuhet se në periudhën e njëjtë një vit më parë gjegjësisht në vitin 2020 ishte një vlerë prej 259.9 milion euro, krahasuar me deficitin prej 361.1 milion euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 16.4 përqind.
Eksporti i mallrave në muajin nëntor të vitit 2021 kishte vlerën 70.6 milion euro, ndërsa importi 431.8 milion euro, që është një rritje prej 54.4 përqind për eksport dhe 41.2 përqind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas të dhënave grupet kryesore të eksportit përbëjnë: 26.6 përqind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 23.9 përqind artikuj të ndryshëm të prodhuar, 12.5 përqind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.9 përqind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.2 përqind produktet minerale, 3.9 përqind produktet bimore, kurse 3.0 përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.
Ndërkaq, grupet kryesore për import përbëjnë: 14.1 përqind produktet minerale, 13.7 përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 13.5 përqind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.5 përqind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.7 përqind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 7.7 përqind mjetet e transportit dhe 6.1 përqind produktet e industrisë kimike.
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, patën një rritje prej 18.1 përqind, duke kapur kështu shifrën 19.3 milion euro, ose rreth 27.3 përqind të eksporteve të përgjithshme.
Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.8%), Italia (3.7%), Bulgaria (2.5%).
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së, ishin rreth 190.0 milion Euro, ose 44 përqind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7%), Italia (8.0%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.1%).
Në muajin nëntor 2021, eksportet e Kosovës me vendet E CEFTA-së arritën në 24.5 milion euro, ose 34.8 përqind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4 përqind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (13.0%), Maqedonia e Veriut (12.0%), Serbia (6.0%), dhe Mali i Zi (2.9%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin nëntor të vitit 2021, arritën në 85.2 milion euro, ose 19.7 përqind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.8 përqind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.7%), Serbia (6.6%), dhe Maqedonia e Veriut (5.1%).
Ndërsa, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.7 milion euro, ose 37.9 përqind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (20.2%), dhe Zvicra (7.5%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.6 milion euro, ose 36.3 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (9.3%).