Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu, ka paralajmëruar reduktime më të gjata se dy orë në Kosovë.
Kadriu në një konferencë për media ka bërë të ditur se programi mund të zgjatet nëse rritet nevoja, derisa shtoi se shpreson të ndodhë e kundërta.
“Dje kemi filluar me një program nga ora 11:00 që ka qenë i shpërndarë në të gjithë Kosovën. Orari ka qenë 8 me 2. Në qoftë se nevoja rritet, atëherë ky plan 8 me 2 nuk do të mjaftojë”, tha Kryeziu.
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar disa nga faktorët që janë duke ndikuar në krizën energjetike, duke përmendur këtu edhe linjën energjetike me Serbinë.
Ndryshe, Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) gjatë së mërkurës ka paralajmëruar kufizime energjetike, të cilat po zgjasin me orë të tëra.
Kosova, aktualisht është duke u përballur me krizë energjetike, pasi prodhimi vendor nuk po ia del të mbulojë nevojën për konsum.
Ndërkaq, Zyra e Rregullatorit të Energjisë është duke e shqyrtuar kërkesën e KEDS-it për shtrenjtim të rrymës deri në 7 për qind. Aktualisht, qytetarët e Kosovës paguajnë 6.75 cent për kilovat në orë./Gazeta Enigma/