Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit të martën (21 dhjetor) ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të edicionit të 94-të të ndarjes së çmimeve “Oscars”.
Nga kjo u bë e ditur se filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli, është përzgjedhur si pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” në nominimet e “Oscars 2022”.
Votimi i nominimeve fillon më 27 janar dhe përfundon më 1 shkurt, ndërsa më 8 shkurt do të bëhet e ditur lista finale e nominimeve.
Përzgjedhja e filmit kosovar ka bërë që të ketë reagime të shumta nga liderët politikë e personazhet e famshme.
Një reagim lidhur me këtë së fundmi e ka bërë edhe babai i këngëtares Rita Ora, Besnik Sahatçiu.
Ai e ka përgëzuar filmin e regjisores kosovare për nominimin në listën e ngushtë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
“Urime për filmin kosovar Hive që u nominua nga Akademia në listën e ngushtë të filmave në Oscars. Urime Bleta, Urime Kosova”, kanë qenë fjalët e babait të yllit shqiptar.
“Oscars 2022” do të mbahet më 27 mars të vitit 2022 në Dolby Theatre në Los Angeles, Kaliforni.