Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se kanë proceduar për në Qeveri projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Haxhiu tha se i njëjti është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë më të mirë të fushës.
Byroja synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.
Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.
“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Falënderoj të gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin që kanë dhënë në hartimin e këtij projektligji”, ka shkruar Haxhiu. /Gazeta Enigma/.