Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të votuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurinë e ujit.
Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
Deputetët kanë votuar edhe për shmangien e afateve për shqyrtimin e projektligjit për marrëveshjes ndërkombëtare me BE në programin Programin e Bashkimit Horizon Europe.
“Konsideroj që nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të votave, sepse një pjesë e deputetëve nuk ka votuar. Pra i kemi 67 vota për, katër vota kundër dhe asnjë abstenim. Si e tillë nuk ka pasur kuorum”, ka njoftuar kryetari i Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. .
Organi më i lartë legjislativ ka votuar edhe për shmangien e afateve për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe – Korniza e Programit për kërkimin dhe inovacionin.
Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se me këtë marrëveshje Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota krahas 17 vendeve të tjera jo anëtare të BE-së. Ky program, siç tha ajo, ka buxhet të përgjithshëm prej 95,5 miliardë euro dhe është shtatë-vjeçar. Nuk ka pasur vota të mjaftueshme as për amendamentet e kësaj marrëveshje, kështu është pamundësuar votimi i marrëveshjes.
Kuorum nuk ka pasur as për marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian Evropa kreative (2021-2027)./Gazeta Enigma/