Dy persona janë ndaluar për sulm fizik nga Policia e Pejës të dielën gjatë orëve të pas ditës.
Policia e Kosovës ka dalur me komunikatë zyrtare lidhur me rastin ku ka dhënë detaje për rastin dhe konfiskimin e armëve pa leje.
Personat kishin ikur nga vendi i ngjarjes pas përleshjes, mirëpo Policia me anën e kamerave të një lokali afër ka arritur t’i identifikojë dhe të konfirmojë se personat në fjalë kanë bartur edhe armë me vete.
Kjo është komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Pejë, sot është njoftuar për një përleshje fizike në mes të disa personave.
Njësitet policore menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarës, sipas dëshmitarëve fillimisht tre persona të dyshuar kishin rrahur viktimën të cilit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, i njëjti është dërguar në spitalin rajonal për tretman mjekësor.
Të dyshuarit e këtij rasti kanë ikur nga vendi i ngjarjes, pas shikimit të kamerave të lokalit nga policia, njëri nga të dyshuarit vërehej se ka poseduar armë të zjarrit.
Pas një pune intensive nga hetuesit e Stacionit Policor në Pejë, janë arrestuar dy nga të dyshuarit, dhe me urdhër të Gjyqtarit të procedurës paraprake, janë bastisur banesat e personave tё dyshuar.
Te të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armё pistoletë e tipit Stoeger kalibrit 9×19 mm, dy karikatorë të njëjtës armë, 18 fishekё të kalibrit 9×19 mm, një armё pistoletë (shkrepës).
Dy të dyshuarit pas intervistimit nga ana e hetueseve, me urdhër të prokurorit ndalohen për 48-orë, ndërsa njëri nga personat e dyshuar ende gjendet në arrati.