Pandemia COVID-19, problemet me energjinë elektrike, janë disa nga problemet që janë ballafaquar qytetarët në vend këtë vit, teksa shpresojnë që me ardhjen e vitit të ri, këto të harrohen.
Qytetarët kanë thënë se shqetësim tjetër mbetët papunësia dhe problemet politike që përcollën vitin 2021. Ndërsa në vitin 2022 presin liberalizimin e vizave për kosovarët.
Ganimete Sogojeva e cila jeton në Gjermani, thotë se ka ardhur në Kosovë për të pritur festat e fundvitit, por që sipas saj nuk ka qenë edhe aq vit i mirë për shkak të pandemisë.
“Në pushim kemi qenë, kemi ardh prap. Po nuk kemi mujt me i vizitu të gjithë që kemi dashur, familjarët e të afërmit. Nuk them keq po shpresojmë që në tjetrin vit me qenë ma mirë. për vitin e ardhshëm shëndeti me qenë. Papunësi e madhe, shkollim po me fakultet rrijnë në shtëpi. Se mirë është, knaqesh kur vjen sheh gjithçka është mirë gjithçka”, tha ajo.
E Arsim Ademi, mërgimtar nga Franca tha se ky vit ka qenë si për të gjithë botën, me pandemi.
“Ka pas të mira, ka pas edhe gjëra të vështira po i kemi kalu, i tejkalojmë.Sa i përket pritjeve personale mirë ka qenë, unë jetoj dhe veproj në Francë, fëmija shkollohen. Gjithnjë presim më mirë, nuk e hupim shpresën”, thotë ajo.
Shefqet Borinca thotë se ndjehet i zhgënjyer. Ai thotë se pritjet kanë qenë të mëdha, teksa shton se kosovarët i mban shpresa gjallë.
“Ne si populli Kosovës po jetojmë me shpresa. Duke menduar se prej një viti në vitin tjetër do të përmirësohet gjithçka mirë e ma mirë. Nuk janë të pritura ato që i kemi mendu dhe çka kemi paramenduar si popull në përgjithësi. Po po shpresojmë prap, sidomos në këtë kohën e fundit me thënë të vërtetën në çdo shtet të Evropës ndihen lehtësira, këtu në Kosovë është bërë një terr, populli është zhgënjy. Pritjet tona si ma herët si popull kemi meritu më herët të dalim, të jemi të lirë”, u shpreh ai.
Kurse Sefidin Berisha vitin 2021 e konsideron vit të telasheve politike e me Coronavirusin.
“Po presim ndonjë ndrrim të mirë, qeverinë e kemi të mirë. Kjo pak po na jep shpresë. Po presim këtë vit një ndërrim më të mirë, shpresat i kemi vetëm te qeveria asgjë tjetër”, u shpreh Berisha.
Vit i vështirë shkaku i pandemisë e konsideron edhe Mërgim Beqaj, mërgimtar i cili jeton në Gjermani. Me ardhjen e vitit 2022, Beqaj shpreson që kosovarët ta fitojnë liberalizimin e vizave.
“Nuk kemi mujt me ardhë edhe në Kosovë amo sidoqoftë e kemi gjet arsyen edhe mundësitë për me ardhë. Tash këtu po i kalojmë festat e fundvitit edhe presim që të bëhet më mirë. Ishalla bëhet më mirë edhe për Kosovë edhe për që jemi jasht, tash te shohim çka po bjen koha. Për vitin e ardhshëm pres me i leshu vizat për kosovarët me ardh mena vizitu edhe neve atje kapak edhe ekonomia me u ngrit në Kosovë, kam dëshirë se është shteti im edhe pse jetoj në Gjermani, me kontribu edhe këtu. Ishalla veq mbarë shkojm edhe na prin e mira”, thotë ai. /Gazeta “Enigma”/