Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka lëshuar një deklaratë pasi Kosova e shpalli “non grata” një zyrtar rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, raporton Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric thotë se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për këtë vendim. OKB-ja e konsideron të pazbatueshme “non grata”-n e Kosovës për zyrtarin rus.
“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagim.
Çdo çështje në lidhje me personelin e UNMIK-ut, sipas OKB-së, duhet t’i adresohet këtij Misioni që ta trajtojë vetë.
“Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij”, thuhet në deklaratë
“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit në falë dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”, thuhet në fund të deklaratës së lëshuar të Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Më 31 dhjetor, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.
“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Today, FM @gervallaschwarz declared persona non grata a Russian official of the @UNMIKosovo Office in Prishtina. #Kosova stands with its allies to act against malign actions that endanger #Kosova’s national security and constitutional order.— MFA Kosova ???????? (@MFAKOSOVO) December 31, 2021
Një zyrtar ndërkombëtar, brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili sot u shpall “persona non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale. / Gazeta Enigma.