Viti 2021 në nivelin individual nuk ka qenë më i miri për disa nga lojtarët më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës.
Ajo që bie në sy është rritja e vlerës së Amir Rrahmanit, i cili kishte një vit për ta mbajtur në mend, dukshëm më të mirin në karrierën e tij, ndërsa Vedat Muriqi dhe Milot Rashica nuk mund të mburren shumë për 12 muajt e fundit.
Telegrafi ka analizuar çmimet e secilit lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës, duke nxjerrë pesë më të vlefshmit.
Amir Rrahmani
Amir Rrahmani është tani lojtari më i vlefshëm i Kosovës me çmim prej 22 milionë euro në tregun e transferimeve, sipas Transfermarkt, uebsajtit për caktimin e vlerës së futbollistëve në treg.
Kapiteni dhe mbrojtësi i Kosovës iu bashkua Napolit nga Hellas Verona për 14 milionë euro në vitin 2020, dhe që prej atëherë, vlera e tij është rritur për tetë milionë euro.
Paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë pjesës së parë të sezonit 2021/22 në Serie A, duke i ndihmuar Napolit të futet në garë për titull në Serie A që nga fillimi i kampionatit, kanë luajtur rol kryesor në rritjen e vlerës së tij.
Rrahmani i bëri 17 paraqitje për Napolin në të gjitha garat gjatë pjesës së parë të këtij sezoni. Ai u zgjodh “Lojtari më i Mirë i Vitit 2021” i Kosovës nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Milot Rashica
Megjithëse Rashica u largua nga Werder Bremen në verë, një klub që e nisi sezonin e ri në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, për t’iu bashkuar Norwich Cityt në Ligën Premier – vlera e tij në treg ka rënë në 8 milionë euro.
25-vjeçari iu bashkua Norwichit nga Werderi në një marrëveshje prej 11 milionë eurove në korrik.
Nëse e krahasojmë vlerën e tij më të madhe në treg, 35 milionë euro në dhjetor 2019, me vlerën e tanishme, atëherë vlera e tij ka rënë tmerrësisht; për 28 milionë euro, pavarësisht se mund të argumentohet se Rashica ka shënuar përparim në karrierë duke kaluar nga Bundesliga në Ligën Premier.
Ai i ka bërë 13 paraqitje në ligë për Norwichin deri tani por e pësoi lëndim muskulor tamam kur fitoi ta gjente formën e vet më të mirë.
Vedat Muriqi
Njëlloj si bashkëlojtarit të tij te Kosova, edhe Muriqit i ka rënë vlera në treg dhe ai kushton edhe më lirë se Rashica, vetëm 6 milionë euro nga 29 dhjetori 2021.
Sulmuesi prizrenas i kushtoi Lazios 19 milionë euro kur u ble nga Fenerbahce në shtator 2020 dhe vetëm një muaj më vonë vlera e tij në treg ra në 17 milionë euro.
Një vit më vonë dhe vlera e 27-vjeçarit pësoi rënie edhe më të madhe, prej 11 milionë eurove. Rënia e tij e madhe është e kuptueshme kur merret parasysh fakti se Muriqi i ka luajtur vetëm 206 minuta futboll në Serie A në këtë pjesë të parë të sezonit 2021/22, duke e dhënë një asist por asnjë gol.
Por Muriqi tregoi formë të mirë me Kosovën në kualifikime për Kupën e Botës 2022, duke i shënuar tri gola në tetë ndeshje gjatë këtij viti.
Arbër Zeneli dhe Florent Hadërgjonaj
I pesti në listë sa i përket vlerës te Kosovës është anësori i Reims, Arbër Zeneli.
Sulmuesi edhe pse ka qëndruar i lënduar për një kohë të gjatë, ai vazhdon të ketë një çmim që vlen miliona euro.
Vlera e Zenelit llogaritet diku rreth 4 milionë euro.
Vlerë të njëjtë ka edhe mbrojtësi i Kasimpasa, Florent Hadërgjonaj.
Edhe ky një pikë referuese për Kosovës, ndërsa edhe tek klubi i tij luan në çdo ndeshje.