Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe një herë ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti.
Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj akuzon qeverinë Kurti për korrupsion dhe frikë nga dialogu dhe SHBA’të. Kritika Haradinaj kishte edhe rreth planeve qeveritare në fushën e energjisë.
Sipas ish-kryeministrit, me Kurtin shef të ekzekutivit, Kosovës po i vështirësohet mundësia e ecjes përpara.
“Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara!”, thotë Haradinaj.
Përveç kësaj, Haradinaj akuzon Kurtin edhe për korrupsion.
“Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën”, tha Haradinaj. /Gazeta Enigma/.