Ndonëse nuk ka pasur marrëveshje të shkruar, asamblisti i AKR-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sami Boroci, po pretendon se ka pasur dakordancë ndërmjet LDK-së e AKR-së për të qeverisur së bashku këtë mandat.
E në mungesë të përfshirjes në qeverisje, asamblistët e AKR-së, gjatë zgjedhjes së kryesuesit e kanë lëshuar mbledhjen, së bashku me ata të AAK-së.
Boroci ka thënë se LDK-ja janë deklaruar se i kanë numrat për ta zgjedhur kryesuesin edhe pa pjesëmarrjen e tyre.
“Fillimisht mundem me konfirmuar se që kas pasur zotime mes LDK-së dhe AKR-së, ka pasur edhe një zotim për mbështetje në balotazh, e cila do të konkretizohej me një partneritet bashkëqeverisës”.
“Si parti nuk është se e kemi marrë qasjen serioze prej partnerit potencial, LDK-së, ata janë deklaruar se i kanë numrat për ta zgjedhur kryesuesin edhe pa pjesëmarrjen tonë, dhe ne kemi zgjedhur që për arsye parimore të qëndrojmë jashtë kësaj pike”, ka thënë Boroci.
Tutje, ai ka thënë se dakordimi ka qenë ndarja e disa drejtorive pa veçuar se cilat Drejtori do të udhëhiqen nga AKR-ja.
“Ka pasur diskutim, ndoshta jo shumë konrket për drejtori të caktuara. Fillimisht ka pasur një dakordim që të jetë një numër i caktuar i drejtorove, mirëpo këto drejtori nuk janë përcaktuar dhe nuk janë përcaktuar emrat se cilat do të jenë për ne, mirëpo nuk është çështje jo vetëm e pazarit, sepse ne nuk është se patjetër se duhet të jemi pjesë e qeverisjes dhe mund të jemi edhe opozitë”, ka thënë tutje ai.