Departamenti Amerikan i Thesarit, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, këtë të mërkurë, ka vendosur sanksione ndaj anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik.
Ky vendim, sipas këtij departamenti, vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të Dodikut ndaj stabilitetit të territorit të Bosnje dhe Hercevoginës dhe për aktivitete korruptive të tij.
Sanksionet përfshijnë bllokimin e të gjitha pronave dhe interesave, të cilat janë në pronësi të Dodikut e që janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjithashtu duhet të raportohen në OFAC.
“Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të bllokuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga çdo person i tillë”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit.
Më tej, ky departament përmend edhe një televizion që është në pronësi private nga një kompani e lidhur ngushtë me familjen e Millorad Dodikut.
Bëhet fjalë për televizionin “Alternativna Televizija (ATV)”, me bazë në Banja Llukë në Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, Dodik ushtron kontroll personal mbi ATV-në në prapaskenë, duke kërkuar, sipas tyre, miratimin personal për storiet televizive që lidhen me tema të ndjeshme politike.
Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, Dodik e ka blerë ATV-në, për të çuar përpara qëllimshëm agjendën e tij, e cila sipas tyre, përfshin përpjekjet e tij për të denigruar figura të tjera politike, për të përmirësuar imazhin e tij publik dhe për të avancuar qëllimet e tij personale dhe politike.
“Dodik u ka dhënë kontrata të ATV-së direkt anëtarëve të familjes së tij, të cilat i ka përdorur si një rrugë tjetër për korrupsion. Ai ka derdhur para direkt nga kompanitë publike në ATV për qëllime korruptive. Dodik ka rritur ndjeshëm fondet për ATV-në vitet e fundit dhe është angazhuar në fushata keqdashëse të ndikimit të medieve sociale përmes ATV-së, për të publikuar përmbajtje që avancojnë qëllimet e tij politike dhe personale”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit. /Gazeta Enigma/.