Franca raportoi 261 mijë e 481 infeksione të reja me koronavirus të enjten, më pak se rekordi prej më shumë se 332 mijë i shënuar të mërkurën.
Mirëpo mesatarja e lëvizshme shtatëditore e rasteve të reja u rrit mbi 200 mijë, për herë të parë që nga fillimi i krizës shëndetësore.
Me shpërndarjen e Omicron, para Krishtlindjeve, mesatarja u rrit në mbi 100 mijë në ditët e fundit të dhjetorit. Tani është dyfishuar në 206 mijë e 91 të enjten, niveli më i lartë i të gjitha kohërave.
Derisa numri i përgjithshëm i rasteve të shënuara që nga fillimi i pandemisë tani është afro 11.2 milionë, shkruan Yahoo, transmeton Klankosova.tv.
Numri i njerëzve në kujdesin intensiv me COVID-19 vazhdoi rritjen, praktikisht të pandërprerë që nga fillimi i nëntorit dhe u rrit në 3 mijë e 759.
Ministria e Shëndetësisë raportoi gjithashtu 204 vdekje të reja, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga COVID-19 në mbi 125 mijë./Gazeta “Enigma”/