Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, dy hetuesit policorë Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani, të akuzuar për korrupsion, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Sokol Mushkolaj ka thënë se pas konsultimit, i mbrojturi i tij ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Edhe i akuzuari Osmani ka deklaruar se e shfrytëzon të drejtën e tij ligjore që të mbrohet në heshtje, si dhe ka shtuar se qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori.
Mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa ka deklaruar se pas konsultimit të mjaftueshëm, i mbrojturi i tij ka vendosur që të mbrohet në heshtje.
Po ashtu edhe i akuzuari Menxhiqi ka deklaruar se e shfrytëzon të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje, si dhe ka thënë se qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori.
Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa ka propozuar që seanca të shtyhet, me arsyetimin se për çështje personale nuk ka mundur të përgatitet për fjalën përfundimtare.
Propozim i avokatit Musa për shtyrjen e seancës nuk është kundërshtuar as nga prokurori Rafet Halimi, e as nga avokati Mushkolaj.
Pas kësaj, gjykatësja e rastit, Shpresa Hasaj-Hyseni seancën e së hënës e ka shtyrë deri më 9 shkurt 2022.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.
Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafenenë “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafeneja dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1 mijë e 500 euro, në prezencë të D.H.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin.
Në aktakuzë thuhet se ai i ka kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3 mijë euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.
Osmani po akuzohet edhe se më 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3 mijë euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.
Po ashtu, Osmani po dyshohet se më 5 shkurt 2020, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3 mijë euro dëshmitarit D.H.
Më pastaj, në aktakuzë thuhet se ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1 mijë e 300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.
I akuzuari Menxhiqi po dyshohet se më 4 dhjetor 2019, pasi ishin marrë vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafenesë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po këqyri se si i Fushë Kosovës po më duket paska hyrë s’ju kishin dhënë kompetencë edhe stacioneve më të hyjnë në do raste tani i dorëzojnë te ne, po unë po nisna menjëherë po këqyri çka ka”.
Menxhiqi po akuzohet edhe se më 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhërkontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.
Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve t’u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9 mijë euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1 mijë e 300 euro gjatë arrestimit.
Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4 mijë e 339 euro e 43 centë dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet, transmeton BetimipërDrejtësi, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Gazeta “Enigma”/