Opinionisti, Ilir Ibrahimi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka humbur shumicën e parimeve mbi të cilat është identifikuar.
“Lëvizja Vetëvendosje në opozitë dhe në qeverisje dallojnë shumë, të gjitha parimet mbi të cilat e ka ndërtuar profilin e saj politik, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka më, shumicën e tyre mbi të cilat është identifikuar si parti politike, duke filluar nga bashkimi kombëtar, deri tek negociatat dhe formimi i koalicioneve tani”, ka thënë Ibrahimi.
Tutje, Ibrahimi theksoi në “Rubikon”, se VV-ja ka parë që qeverisja kërkon më tepër realizëm e më pak idealizëm.
“Është duke e mbajtur një diskurs për bazën e fortë të partisë, simpatizantë e flaktë të cilët jo domosdoshmërish e pranojnë këtë aq lehtë, siç e ka pranuar lidershipi i partisë, dhe mundohet që të flasë me dy palët, Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje e ka parë që nuk është gjithçka që mund të thuhet në një debat politike, qeverisja kërkon më tepër realizëm e më pak idealizëm. Dhe këtë po e shohim me veprimet të cilat po i merr. Kemi pasur debate se a është duke qeverisur si parti e majtë apo si e djathtë. Do të thotë që ka vendime të cilat mund të jenë të djathta apo të majta, nuk është se ka një prerje të qartë në qëndrimet që ka pasur duke e ndërtuar profilin e vet politik”.