Legjenda e Real Madridit Francisco Gento ka vdekur të martën në moshën 88-vjeçare, njofton klubi.
Gento është futbollisti i vetëm në histori që i ka fituar gjashtë kupa evropiane.
“Real Madridi, presidenti i tij dhe bordi i drejtorëve shprehin keqardhje për vdekjen e Francisco Gentos, presidentit të nderit të Real Madridit dhe njërit prej legjendave më të mëdha të klubit tonë dhe botës së futbollit”, thuhet në njoftimin e Real Madridit.
Ai ka qenë president nderi i Real Madridit deri në vdekjen e tij, një pozitë që e kishte trashëguar nga miku dhe ish-bashkëlojtari i vet Alfredo Di Stefano.
Së bashku, ata dy e shndërruan Real Madridin në klubin më të madh në Spanjë dhe në Evropë, duke i fituar pesë kupa evropiane radhazi, një arritje e paparë deri më tani në futboll.
Gento kishte luajtur për Real Madridin nga viti 1953 deri në vitin 1971.
Përveç gjashtë kupave evropiane, ai i fitoi edhe 12 tituj në La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe një Kupë Interkontinentale.
Ai i zhvilloi 600 ndeshje për Real Madridin, duke i shënuar 182 gola.
Gento e përfaqësoi Spanjën në 43 ndeshje ndërkombëtare. / Gazeta Enigma.