Ministria e Shëndetësisë ka rishqyrtuar masat e reja të mundshmë që mund të merren për parandalimin e përhapjes së COVID.
Ministri i Shëndëtësisë, ka folur pas takimit, i cili tha se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike.
Ndërsa, ryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” se ata janë përjashtuar në mënyrë arbitrare nga Komiteti për Vlerësim dhe Koordimin, ku bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike, kësisoj të gjitha vendimet që do të merren varen vetëm nga niveli qendror.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës si përfaqësues legjitim i autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës janë të përjashtuara në mënyrë arbitrare nga Komiteti antiCOVID, edhe pse komunat kanë luajtur një rol thelbësor në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjithashtu edhe Asociacioni ka qenë në përkrahje të komunave gjithnjë, dhe ka qenë shumë aktiv prej marsit të vitit 2020”, tha ai.
Ibrahimi shtoi tutje se niveli qendror nuk po dëshiron asnjë bashkëpunim me nivelin lokal sa i përket masave antiCOVID.
“Ministria e Shëndetësisë e ka parë të arsyeshme të përjashtojë në mënyrë arbitrare Asociacionin e Komunave të Kosovës, në dy takimet e fundit nuk është ftuar. Njëherë kemi qenë të përjashtuar po në këtë mënyrë nga ish ministri Arben Vitia, po pastaj pas takimit që kemi pasur me Arben Vitinë, ka theksuar se ka qenë gabim teknik dhe është rikthyer. Mirëpo tani, kjo po shihet se është e qëllimshme, dhe se niveli qendror nuk dëshiron asnjë bashkëpunim me nivelin lokal sa i përket masave antiCOVID”, deklaroi ai.
Ibrahimi nënvizoi se për shkak se nuk ka një bashkëpunim të tillë mes nivelit qendror dhe atij lokal, po rriten edhe rastet me COVID-19.
“Vendimet po merren në nivel qendror, gjithçka në dorë ka niveli qendror, po shihet se për një mosbashkëpunim të tillë po rriten edhe rastet mbi 2 mijë, çdo bashkëpunim jo i sinqertë shkon në dëm të qytetarëve”, potencoi ai.
Ndërsa, Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” se së shpejti do të dalin me masa të reja kufizuese.
“Mekanizat antiCOVID janë duke e trajtuar rregullisht situatën epidemiologjike, për të parë nese ka nevojë për të vendosur masa shtesë apo të fuqizohen përmes mbikëqyrjes më të fort masat në fuqi”, tha Hoti.
Ndër të tjera, ai theksoi se është e rëndësishmë që popullata të vaksinohet, për shkak se çdo qytetarë i imunizuar me vaksina do ta përballojë më lehtë infektimin me COVID.
“Vaksinat janë siguruar për të gjithë, kapacitetet spitalore janë të gatshme për të përballuar ndonjë fluks më të madh të rasteve që kërkojnë tretman klinik, çdo dite gjurmohen dhe testohen mijëra qytetarë dhe zhvillohen aktivitete në zbatim të vendimeve që lidhen me COVID”, shoi ai.
MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID, duke njoftuar se varianti Omicron i coronavirusit tanimë është bërë variant dominues në qarkullim.
Aktualisht në Kosovë vlejnë masat kufizuese të ndërmarra gjatë vitit 2021, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 vlen ora policore, ndërsa, nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy dozat kundër COVID. /Gazeta Enigma/.