Policia e ka gjobitur një shofer në Ferizaj pasi në zonën ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h ai kishte zhvilluar shpejtësi 92km/h, shkruan Gazeta Enigma.
“Sot, rreth orës 16:00, policia ka ndaluar shoferin i cili me automjetin e udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, tejkalim i shpejtësisë në rrugën ‘’Driton Islami ’’ në Ferizaj, ku në zonën e kufizimit 50 km/h zhvilloi shpejtësi 92 km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Për këtë shkelje të rregullave të komunikacionit Policia ndaj shoferit me inicialet B.B. ka shqiptuar gjobë sipas Ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe gjashtë muaj masë mbrojtëse (heqje e patentë shoferit).
Vozitësi e ka pranuar kundërvajtjen e shkaktuar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka bërë apel ndaj shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit.
“Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes”, thuhet në njoftim.
PK po ashtu ka ftuar qytetarët që t’i raportojnë të gjitha shkeljet që bëhen në komunikacion.
“Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406” thuhet në njoftimin e Policisë./GazetaEnigma/