Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në procesin e dialogut me Serbinë, ka bërë dallimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Duke bërë dallimin mes tyre, ai ka thënë se Vuçiqi nuk ka aspak kredibilitet para ndërkombëtarëve, kurse Kurti sipas tij, nuk ka dhënë premtime në Bruksel e se është i “pastër” para tyre.
“Ne kemi shumë marrëveshje të arritura në Bruksel dhe deri tani ka shumë ngecje në to, deri tani nga Serbia ka mospërmbushje të 11 marrëveshjeve. Pala e Serbisë ka zero kredibilitet të kërkojë diçka nga pala e Kosovës, kur vetë i ka minuar marrëveshjet në Bruksel me mosimplementim. Duhet të bëhet një dallim cilësor, në tavolinë të bisedimeve kemi dy krerë të shteteve, Vuçiq dhe Kurti, por dallimi kryesor ka të bëjë me atë se Vuçiq i cili është përgjegjës për shkeljen e 11 marrëveshjeve, është personi që i ka nënshkruar të njëjtat”, ka thënë Besnik Bislimi për KTV.
“Në momentin e nënshkrimit ai ka dhënë një lloj premtimi në Bruksel për implementimin e tyre, me mosimplementimin e ka certifikuar veten si palë destruktive. Në anën e Kosovës nuk kemi asnjë marrëveshje që e ka nënshkruar Kurti, në asnjë moment nuk ka dhënë ndonjë premtim. Në tavolinë janë dy persona, personi i parë që ka zero kredibilitet dhe kemi një person që nuk ka dhënë premtime për marrëveshje”, ka shpjeguar Bislimi.