Escobar dhe Lajçak: Serbët e Kosovës të lejohen të votojnë për zgjedhjet në Serbi

Escobar dhe Lajçak: Serbët e Kosovës të lejohen të votojnë për zgjedhjet në Serbi

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kanë folur në konferencë për media pas përmbylljes së vizitës dy ditore në Serbi.

Ata kanë kërkuar që të zbatohen të gjithë marrëveshjet e arritura në Bruksel nga të dy palët. Po ashtu ata kanë kërkuar që të iu lejohet serbëve të Kosovës që të votojnë për zgjedhjet e tre prillit në Serbi.

“Ishim shumë të qartë, si këtu në Beograd, si në Prishtinë, që të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura”, tha Escobar.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, nuk jemi bashkëpunues në dialog, por gjithçka që del nga ky dialog do ta mbështesim financiarisht, teknikisht dhe politikisht”, shtoi diplomati amerikan.

Escobar ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke  thënë se nga perspektiva amerikane duhet të diskutohen modelet e Asociacionit.

“Nuk e dimë se si duhet të materializohet, Beogradi dhe Prishtina duhet të diskutojnë përmes një dialogu të organizuar nga BE-ja. Të gjitha marrëveshjet që do të arrihen do t’i mbështesim financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, ka thënë ai.

Kurse, përfaqësuesi special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak ka theksuar se duan të shohin progres të shpejtë.

“Duam të shohim progres rapid, të shkojmë tutje në marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka kërkuar që t’i lejohet votimi serbëve në Kosovë për zgjedhjet në Serbi që mbahen me tre prill.

“Ne besojmë se njerëzit duhet të kenë të drejtë të marrin pjesë në proceset demokratike. Ata kanë të drejtën e votës. Ne ua thamë atë partnerëve tanë. Ka standarde, ka një praktikë evropiane që i lejon njerëzit të votojnë”, përfundoi ai.

“Siç jeni në dijeni, dialogu është i lidhur me integrimin në Evropë të Serbisë dhe Kosovës, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë të dialogut për normalizim të marrëdhënieve dhe prospektin për integrimin në Evropë”, potencoi Lajcak.

Diplomati sllovak ka shtuar se edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë thënë disa herë se janë të gatshëm të vijnë në Bruksel kur të jenë të ftuar.

“Ata të dy janë të përkushtuar ndaj procesit dhe e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ai. Muajt e fundit, ne kemi punuar për përgatitjen e një takimi të ri. Isha i përfshirë në marrëdhënie diplomatike. Çështja është se kur dhe jo nëse do të bëhet ai takim”, nënvizon ai.

Kujtojmë që Escobar dhe Lajçak gjatë vizitës së tyre dy ditore në Serbi kanë takuar krerët e këtij shteti.

Ata po ashtu qëndruan në Kosovë për vizitë tre ditore ku takuan liderët e shtetit dhe përfaqësuesit e partive politike duke dhënë mesazh të qartë se marreveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.GazetaEnigma/

Related Articles