Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.
“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “Mos evitim të rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Juniku.
Prokurori Juniku ka shtuar se nga mbi 1,500 qytetarët që kishin kërkuar ndihmë në QKMF-në në Deçan 872 kanë pasur simptoma të njëjta.
“872 kanë pasur simptoma që i referohen helmimeve nga uji i pijes, sipas analizave nga IKSHPK është kontestuar se të njëjtit e kanë pasur bakterien E.Coli dhe baktreien Norovirus, të shkaktuara nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta”, u shpreh ai. /Gazeta Enigma/.