Nisi pa zhurmë, por me shumë zhurmë u pezullua vendimi i Qeverisë së Kosovës, e cila më 2 shkurt të këtij viti filloi restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, projekt ky në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, shkruan Gazeta “Enigma”.
Më 2 shkurt të këtij viti Ministria e Kulturës njoftoi fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Shtëpia e Xhafer Devës llogaritet të jetë ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
“Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”, thuhej në reagimin e MKRS-së.
I pari që reagoi kundër këtij vendimi ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili deklaroi se po ndërhyhet në histori duke përdorur figura që lidhen me nazizmin.
“Kjo kulturë e kujtesës është duke u bërë në mënyrën e gabuar!”, kishte shkruar Rohde në Twitter.
Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me përdorimin e figurave që kanë pasur lidhje me nazizmin.
“Jam shumë i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që ishte një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderbeg. S’ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, ka shkruar ambasadori gjerman javën e kaluar.
Von Cramon: Nuk duhet të ketë vend për mohimin e Holokaustit
Ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, përveç ambasadorit gjerman Jorn Rohde, ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Ajo e ka cilësuar këtë vendim si shqetësues.
“Rasti i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicën e Jugut, personalisht më brengos dhe ngre shumë shqetësime tek unë”, ka shkruar Cramon.
Sipas saj “zbardhja e së shkuarës dhe shtrembërimi i fakteve për bashkëpunëtorin/protagonistin e njohur nazist të Divizionit të 21-të SS ‘Skënderbeu’ nuk duhet të lejohet”.
Ministri Çeku: Nuk po e rehabilitojmë figurën e tij
Pas kundërshtimeve nga spektri ndërkombëtar, ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili theksoi se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.
“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij “Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherit duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqej njërës apo palës tjetrës, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun. Diskursi që legjitimon dhunën kundër arkitekturës është i rrezikshëm, sepse ai çon drejt zhdukjes së kulturës materiale”.
Pas zhurmës së krijuar në opinion, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), kanë njoftuar se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. / Gazeta Enigma.