Kuvendi i Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka votuar raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Përkrahje i dhanë të gjitha Grupet Parlamentare në Kuvend, teksa opozita kërkuan të ndryshohet ligji për ndryshime disiplinore.
Këtë kërkesë e pati deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
“Gjatë procedurës hetimore këshilli eksoficio mund të suspendojë gjyqtarin dhe prokurorin nëse është nën hetime. Ka pasur ankesa në vonimin e ankesave dhe nuk është respektuar afati prej 30 ditëve. Është e rëndësishme të ndryshohet ligji për ndryshime disiplinore. Kërkoj mbështetjen e këtij raporti”, tha Selmanaj.
Ndërsa deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se Këshilli gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi për sistemet përkatëse.
“Në raport me gjetjet kanë rezultuar se rekomandimet i shërbejnë institucioneve përgjegjëse. Sistemi i drejtësisë nuk është efikas dhe nuk është zbatuar në masë të nevojshme. Ne e kemi evituar një pengesë duke ndryshuar ligjin disiplinor. Këshilli gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi për sistemet përkatëse”, tha ai.
Edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se si Grup Parlamentar kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor t’i zbatojnë rekomandimet e komiisonit.
“Edhe grupi i PDK-së në komisionin për legjislacion ka dhënë mbështetje për raportin. Grupi i PDK kërkon nga Këshilli Gjyqësor t’i zbatojë rekomandimet e komisionit”, tha ai.
Përkrahje i dha edhe Grupi Parlamentar i AAK-së.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, falënderoi Grupet Parlamentare për votimin e këtij Projektligji. Tha se krahas reformës do të jetë edhe Ligji për disiplinë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pajtohen plotësisht me të gjeturat e në raportin e mbikëqyrjes nga komisioni parlamentar. Ajo tha se mbikëqyrja që e bën komisioni parlamentar ua lehtëson punën edhe atyre.
“Janë dy nga ligjet që ndonëse janë votuar në Kuvend, s’kanë hasur zbatim. Përmes mbikëqyrjes që bëjnë komisionet lehtësohet edhe puna jonë, sepse përmes raporteve që i voton ky Kuvend e kuptojmë se cilat janë problemet që duhet adresuar. Kemi trajtuar raportin e mbikëqyrjes së këtij ligji dhe pajtohemi plotësisht me të gjeturat”, tha ministrja Haxhiu./Gazeta Enigma/