KESCO ka bërë me dije që të premten ka dorëzuar propozimin në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 Shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit.
“Ky propozim ka ardhur si rezultat i vështirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët tanë në Republikën e Kosovës. Ne synojmë që me këtë propozim të shmangim kofuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke zbatuar në të njëjtën faturë tarifat e deritanishme me tarifat e reja. Nëse ZRRE-ja do ta marrë për bazë këtë propozim, atëherë faturimi i tanishëm do të zbatohet me tarifat e vjetra për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftimin e KESCOS-s.
KESCO ka thënë po ashtu se do të fillojë një fushatë masive për të këshilluar konsumatorët që si të përdorin pajisjet e tyre më së miri në mënyrë që ta përballojnë sa më lehtë periudhën e faturimit me tarifa të reja.
ZRRE-ja ka miratuar të martën vendosjen e bllokut tarifor në 800 kWh, e jo në 600 sa kishte propozuar më herët.
Sipas vendimit të ri, për ata që konsumojnë mbi 800 kWh tarifa e lartë është prej 12 centë dhe tarifa e ulët 6 centë. Njëkohësisht edhe në deri 800 kWh tarifa e ulët është prej 3 centë dhe tarifa e lartë prej 7 centë”.
Sipas ZRRE-së, rreth 20% e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor. Ndërkohë, sipas vendimit të ri, për bizneset nuk do të ketë bllok-tarifë.