Lionel Messi ka shënuar një rekord negativ në Ligën e Kampionëve, teksa së bashku me legjendën e Arsenal-it Thierry Henry-n, janë bërë futbollistët me më së shumti penallti të humbura në garën më prestigjioze për klube në botë.
Ylli i PSG-së ka dështuar pesë nga 23 penalltitë që kishte marrë përsipër gjatë karrierës së tij në Ligën e Kampionëve.
E fundit që solli këtë rekord negativ për argjentinasin, ishte penalltia e humbur në ndeshjen që ekipi i tij e fitoi me rezultat minimal 1:0 ndaj Real Madrid-it, takim ky shumë i vlefshëm i raundit të 1/8-ve të finales në Champions.
Portieri i madrilenëve, Thibaut Courtois, arriti të kuptojë mirë anën se nga gjuajti Messi, të cilit më pas ia mohoi golin në këtë sfidë.
Në këtë mënyrë Messi shpërdoroi mundësinë e mirë për të kaluar parisienët në epërsi, të cilët më pas arritën ta sigurojnë fitoren vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes, pas golit të realizuar nga Kylian Mbappe.
Gjithashtu vlen të theksohet se me penalltinë e marrë përsipër nga Lionel Messi në mbrëmjen e kaluar, ai e ka kaluar Cristiano Ronaldon për më së shumti penallti të ekzekutuara në Ligën e Kampionëve.