Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka sqaruar se si do të llogaritet tarifa e rrymës në muajin shkurt, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që tarifat e reja, me çmim më të shtrenjtë, të fillojnë së aplikuari nga 9 shkurti.
Konsumi do të llogaritet në dy pjesë, nga data e leximit të faturës deri më 9 shkurt dhe nga 9 shkurti e deri në datën e leximit të radhës. Faturimi deri me 9 shkurt do të llogaritet me tarifë të vjetër. Pastaj do të bëhet kalkulimi tjetër me tarifë të re.
“Pra, edhe nëse i keni shpenzuar më tepër se 800 kWh deri me 9 shkurt, ato nuk do të llogariten për të hyrë në bllok-tarifë, por kalkulimi do të fillojë sërish nga zero deri në datën e leximit. Me anë të kësaj metode, pjesa më e madhe e konsumatorëve do të lirohen nga bllok tarifa, edhe pse kanë shpenzim mbi 800 kWh”, thuhet në një sqarim të KEDS-it.
Me këtë metodologji të propozuar nga KESCO është pajtuar edhe ZRRE-ja.
“Konsumatorët do të njoftohen lidhur me shpenzimin me tarifa të vjetra dhe të reja në faturat e fundit që do t’i pranojnë gjatë ditëve në vijim. Pastaj, konsumi që fillon pas dërgimit të faturës së ardhshme e tutje do të fillojë të njehsohet me tarifa të reja”, bëhet e ditur në sqarimin e KEDS-it.