Ish krerët e UÇK-së, të cilët ishin pjesë e pandashme e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë, Jakup Krasniqi si kryepalamentar, e Hashim Thaçi si kryeministër, bashkë me disa pjesëtar të tjerë të UÇK-së, po mbahen të mbyllur në Dhomat e Specializuara të Hagës. Shokët e tyre të luftës, për Gazetën “Enigma”, kanë thënë se mbajtja e pjesëtarëve të UÇK-së në paraburgim qe më shumë se një vit, është e padrejtë dhe antiligjore.
Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se përvjetori i 14 i Pavarësisë së Kosovës nuk është i njëjtë pa një nga liderët që kontribuoi në shtet ndërtim, Hashim Thaçin.
“Në kontestin e përvjetorin të Pavarësisë pa udhëheqësin e saj, pa njeriun i cili e shpalli pavarësinë e Kosovës është mjaft e rëndë dhe shumë e vështirë e përjetueshme, sidomos për ne bashkëluftëtarët e tij, por besoj se ai do të mund ta paraqes luftën e UÇK-së, ashtu siç ishte çlirimtare dhe të na vije në përvjetor të tjerë në Kosovë dhe ta festojmë bashkë”, theksoi ai.
Duke cituar deklaratën e avokatit të Thaçit, Buja tha se përmes Speciales po tentohet të minohet lufta e drejtë e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“E kemi parë deklaratën e avokatit të Thaçit, që nuk është në pyetje individi por historia e Kosovës, dhe pasojat rreth të ardhmes së Kosovës. Z.Thaci ka qenë njëri ndër udhëheqësit qysh si student, pastaj ishte njëri ndër anëtarët e shtabit të përgjithshëm dhe drejtor i drejtorisë politike, e udhëhoqi delegacionin e Kosovës dhe ishte njeriu i cili e lexoi deklaratën e pavarësisë, dhe ishte kontribuesi më i madh në pavarësinë e vendit”, theksoi ai.
“Mbajtja e tij në Hagë, ashtu siç e kam cilësuar këtë gjykatë si gjykatë politike, të njëanshme për Kosovën dhe vet mbajtja e tyre, pa u liruar për tu mbrojtur në liri pa i dhënë mundësi të mbrohen në vendet e treta të paktën, po tregon që kjo Gjykatë është politike dhe e njëanshme”, tha tutje Buja.
“Vendimi përfundimtar i Speciales të jetë pafajësia e UÇK-së”
Një nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, për Gazetën “Enigma”,ka thënë se Kosova dhe UÇK-ja në veçanti është sfiduar ndër vite nga armiq të pavarësisë së Kosovës.
“Përpjekje për t’i dënuar njerëzit që kanë luftuar dhe kanë organizuar UÇK-në ka pasur edhe më herët dhe deri tani pothuajse të gjithë përjashtuar një rast që është dënuar për krime lufte, nuk ka pasur fenomene për të cilat është dënuar dikush. Akuza të gjata që vazhdojnë edhe sot, kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj, që janë të gjallë kanë pasur synim atë që ta kompromitojnë UÇK-në”, theksoi Haliti për “Enigmën”.
Mungesa e Veselit, Thaçit, Selimit, Krasniqit e të tjerëve, në përvjetorin e Pavarësisë, sipas Halitit është e rëndë për vendin, por edhe për familjarët e tyre.
“Unë nuk jam i kënaqur që shokët e mi janë aty, por dua të them që ka qenë një gatishmëri e jona, duke përfshirë edhe presidentin, ish kryetarin e parlamentit e gjithë deputetët që të përballemi me drejtësinë për ta hequr njollën të cilën janë përpjekur të na m’veshin ndërkombëtarisht armiqtë e shqiptarëve, dhe armiqtë e NATO-s. Në këtë rast po besoj që në bazën e fakteve që s’i kanë gjykata do të nxjerr një vendim të drejtë dhe shpresoj dhe besoj që vendimi përfundimtar do të jetë pafajësia e tyre”, ka thënë tutje ai.
“Mbajtja e ish pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, absurde”
Kurse, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku vlerëson se me mbajtjen e ish krerëve të UÇK-së në Hagë po u shkelen të drejtat e tyre.
“Ne vazhdimisht kemi thënë që atyre po u shkelen të gjitha të drejtat për shkak se edhe vet kryetarja e Gjykatës e pati theksuar se nuk do të mbahen njerëzit në paraburgim më shumë se një vit, dhe ne si OVL e konsiderojmë që të mbahen njerëzit pa kurrfarë aktakuze pa filluar gjykimi është e padrejtë”, ka thënë Klinaku për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij “Ata nuk do duhej të merreshin fare, përderisa hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe absurditeti i kësaj është që ajo i mban njerëzit që një vit e gjysmë në paraburgim, ndërkohë thotë se do të zhvilloj ende hetime. Natyrisht që për ne nuk është ndjenjë e mirë, përderisa ka prej tyre që e kanë shpall Pavarësinë e Kosovës, siç është presidenti Thaci, të mbahen atje për diçka absurde”, potencoi tutje ai.
Ndërkaq, Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre Prosper, ditë më parë ka deklaruar se në Gjykatën Speciale nuk janë duke u gjykuar individët, por është duke u gjykuar historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës.
Avokati Prosper ka thënë se në Hagë ka tendencë për të rishkruar historinë e Kosovës nga një Gjykatë, e cila po e gjykon popullin që vetë e ka krijuar. / Gazeta Enigma.