Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se të shtunën, 19 shkurt, do të mbahen stërvitje të reja ushtarake, të cilat do të mbikëqyren nga presidenti rus, Vladimir Putin, në kohën e shqetësimeve se Kremlini mund të jetë duke u përgatitur për pushtim të Ukrainës.
“Më 19 shkurt janë planifikuar stërvitje të forcave strategjike, të cilat do të mbahen nën mbikëqyrjen e Komandantit Suprem të forcave të armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, gjatë së cilave do të lëshohen raketa balistike dhe lundruese”, ka thënë Ministria përmes një njoftimi më 18 shkurt.
Në stërvitje është thënë se do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, ai verior dhe Deti i Zi.
Këto deklarata vijnë disa orë pasi lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka ka arritur në Moskë për të zhvilluar bisedime me Putinin, për të vendosur rreth tërheqjes së trupave ruse nga Bjellorusia kur të përfundojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake më 20 shkurt.
Pjesëmarrja e mbi 30,000 trupave në këto stërvitje ka shqetësuar Perëndimin rreth qëllimeve të vërteta të Kremlinit për mbledhje të trupave.
Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.