Miradije Hamiti pensionere në Prishtinë, thotë se Ditën e Pavarësisë, nuk e ka festuar fare për shkak të kushteve jo të mira financiare. Ajo aktualisht merr një pension prej 180 euro, ndonëse thotë se ka punuar për 42 vite, raporton Ekonomia Online.
Por ndryshe nga Miradije Hamiti, qytetarë tjerë e kanë festuar ditën e Pavarësisë. Ndonëse nuk janë shumë të kënaqur me politikën në vend, ata presin që t’u krijohen më shumë vende pune e rritje të standardit të jetesës.
Ligji i Pagave si një pensioniste me përvojë 42 vjeçare, siç duket e ka zhgënjyer tej mase Miradije Hamitin.
“Kemi qëndruar në shtëpi, jemi pensioner, pa pas pare nuk dilet as me festu. Pensionerët totalisht janë harru. 14 vite shtet, situata po tregon në çfarë gjendje jemi. 42 vite kam punuar e i marr 180 euro pension. Kemi shpresuar deri tash po me qet ligjin e pagave, por dështim është”, u shpreh ajo.
Ndërsa Bajram Sedolli tha se kanë e festuar edhe me organizimin është ndarë i kënaqur. Ai pret që të krijohen vende punësimi e të kemi një standard më të mirë të jetës.
“Shumë mirë e kemi festuar në qytet se prej Suharekës jemi edhe aty në qytet e kam festu me shokë e me familje me të gjithë. Edhe koha ka qenë e mirë, kështu që po shpresojmë edhe për ma mirë që të rinjtë të kenë punësim më të mirë, të qëndrojnë këtu me neve, të jetojnë këtu, të krijohen kushte më të mira për të gjithë”, tha ai.
Shaban Halimi qytetar nga Prishtina tha se kanë kaluar shumë mirë, e se në këto 14 vite shtet pritshmëritë e tij nuk janë përmbushur. Ai thotë se krerët institucional kanë punuar më shumë për interesat e veta.
“Shumë bukur kemi kaluar, që në mëngjes jemi zgjuar të gëzueshëm, të lumtur bashkë me gruan, fëmijët, nipat e mbesat kemi dal në shesh këtu, kemi përcjell paradën e policisë, të ushtrisë sonë, jemi kënaq e jemi frymëzuar si të them për jetë”, ka thënë ai
“Dekorimet të drejtën me thënë duke e pas parasysh se e kemi pas ushtrinë e policinë përpara, dekorimet nuk kanë qenë për ne interesante, për mua personalisht nuk qojnë peshë. Tek e fundit ka qenë mirë që nuk janë bë shumë, për mos me bë shumë shpenzime domethënë të kursejmë pakëz”.
Ndërsa thotë se asnjë nga pritshmëritë e tij nuk janë plotësuar. Thotë se krerët institucional kanë punuar për interesa të veta personale.
“Jo, në këto 14 vite shtet pritshmëritë të mija personale nuk janë plotësu. Në radhë të parë kemi prit që të kemi institucione stabile, profesionale që duhet të punojnë ashtu si duhet me punu, që faktorin ndërkombëtar ta bindim se me vërtetë e duam shtetin dhe dëshirojmë të punojmë për shtetin. Këtu ka ndodh e kundërta, politikanët kanë punuar për interesat e veta personale sepse edhe vetë në politikë kam qenë edhe i kam pa ato sende me sytë e mi, i kam prekë ato gjëra. Kjo është e keqja më e madhe që i ka ndodh Kosovës, në të ardhmen unë shpresoj në gjeneratat e reja të cilat kanë pa defektet e qeverive të kaluara e politikanëve të kaluar dhe duhet ata politikanë që të vijnë, duhet të sakrifikohen për popullin e jo populli të sakrifikohet për politikanët që do i vëmë nesër në krye të vendit”.
E këto 14 vite për Besnik Jusufin jetesa në Prishtinë është e vështirë, ku fajin kryesor e bën ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Këto 14 vite të metat më të dobëta janë të cilët ka qenë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili Prishtinës është desht të bëjë një vend më modern më evropian i cili i ka pas kushtet shumë dhe kemi prit mjaft prej tij, po ka disa vende që Prishtinën e ka lënë si Kalkuta e Indisë. Domethënë ndërtimet pa leje, nëpër rrugica, në çdo qosh ka ndërtime, nuk ka parqe nuk ka në asnjë lagje gjelbërim. Banesat janë ndërtu në çdo cep banesa vetëm banesa, banesa në vend që të zgjerohet Prishtina, të ketë parqe. Ka një rregull në Gjermani që do të thotë në sa kilometra mund të ndërtohet një kafene ose një larje e veturave të cilën ai që e ka bërë i pari të mbijetoj, jo pas dy viteve vjen një tjetër dhe një tjetër e pastaj të gjithë humbin”, .
Ndërsa rrethojat përgjatë sheshit ishin të panevojshme për Mexhan Krasniqi. Ai thotë se iu pamundësua të jetë më afër ushtarëve gjatë parakalimit.
“Mirë kemi kalu, kemi qenë në shesh. Mirëpo organizimi nuk mu ka dok i mirë, sa i përket popullit këtu rrethojat kanë qenë në favor të pushtetarëve kështu që populli ka pas problem, kemi pas problem edhe me pa edhe me kaluar. Kurrfarë të mire nuk shoh këto 14 vite, komunat serbe, sipas kushtetutës të 74 vetëm një komunë serbe e kemi pas, tash i kem 11 komuna serbe, kjo është me fajin e opozitës, këta kanë pranu mu formu edhe 10 komuna serbe tjera. Nuk kem shpresa pasi që kuvendi asnjë vendim madhor, sidomos në parlament nuk mund ta merr pa listën serbe”, tha ai.