Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka paralajmëruar Rusinë se do të përballet me kosto financiare “të pashembullta” nëse pushton Ukrainën.
Paralajmërimi vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin, po mbikëqyr stërvitjet ushtarake dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, po shkon drejt Europës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Konferencën e Mynihut se Moska ka kërkesa që aleanca nuk mund t’i përmbushë dhe se nuk ka shenja të një tërheqjeje ruse nga kufijtë e Ukrainës.
Ndërkohë, liderët e rajoneve separatiste të Ukrainës lindore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut kanë shpallur një mobilizim të plotë ushtarak.
Rusia ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-ve se ajo ishte përgjegjëse për sulmet kibernetike në faqet e internetit të bankave dhe Qeverisë ukrainase, duke i cilësuar si të pabaza.
Separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën Lindore mbrëmjen e djeshme më 18 shkurt planifikuan të evakuojnë banorët e rajonit.
Duke njoftuar lëvizjen në mediat sociale, Denis Pushilin, kreu i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetsk-ut, tha se Rusia kishte rënë dakord të sigurojë strehim për ata që largohen.
Gratë, fëmijët dhe të moshuarit duhet të evakuohen fillimisht.
Kreu i Republikës Popullore të vetëshpallur të Luhansk më vonë bëri një njoftim të ngjashëm evakuimi.
“Për të parandaluar viktimat civile, u bëj thirrje banorëve të republikës, që të largohen për në Federatën Ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Leonid Pasechnik në një deklaratë.
Udhëheqësit separatistë akuzuan Kievin për planifikimin e një sulmi dhe forcat qeveritare për kryerjen e sabotimit, në atë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti një strategji të “krijimit të provokimeve të rreme”.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Kievi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi qeverinë ruse të strehojë dhe ushqejë njerëzit pasi të mbërrijnë në Rusinë Jugore, sipas një deklarate të Kremlinit.
Miliona civilë besohet se jetojnë në dy rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën Lindore, shumica janë rusishtfolës dhe shumë prej tyre tashmë kanë marrë nënshtetësinë ruse.
Zona e konfliktit në Ukrainën Lindore përjetoi bombardimet më intensive të artilerisë për vite me radhë të premten, me qeverinë e Kievit dhe separatistët që akuzojnë njëri-tjetrin.
Vendet perëndimore kanë thënë se mendojnë se bombardimet, të cilat filluan të enjten dhe u intensifikuan në ditën e dytë, janë pjesë e përgatitjeve ruse për të organizuar një pretekst për të pushtuar.
Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia – e cila tha se ka filluar tërheqjen e trupave pranë Ukrainës këtë javë – kishte bërë të kundërtën: duke rritur forcën.