Pas ankesave të qytetarëve, KEDS-i: Kalkulimi i faturave të muajit shkurt është i saktë

Pas ankesave të qytetarëve, KEDS-i: Kalkulimi i faturave të muajit shkurt është i saktë

Drejtori për konsumatorë në KEDS, Sabri Tërnava, ka thënë se kalkulimi i faturave të energjisë elektrike për muajin shkurt është i saktë, pavarësisht pengesave e paqartësive për shkak të ndryshimit të çmimit që nga 9 shkurti, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në emisionin Sot, Tërnava u ka dhënë përgjigje pyetjeve të konsumatorëve që janë ankuar se përllogaritja s’është bërë mirë e se çmimet janë më të larta se që ishte deklaruar.

Ai ka sqaruar se si bëhet përllogaritja. Ka thënë se merret konsumi i plotë mujor nga data e faturës së kaluar deri tek ajo e reja. Nëse ka qenë totali 1000kilovatë të shpenzuar, kjo vlerë përpjesëtohet në ditët e faturimit. Po të ishin 30 ditë që faturohen, përllogariten me çmim nga 33 kilovatë në ditë me çmime të mëhershme deri në datën e 9 shkurtit, dhe nga 9 shkurti e këndej me çmime të reja.

Tërnava ka thënë se në fatura mund të shihen vlerat e reja, por ka theksuar se në fund të saj shihet sqarimi se sa ditë janë kalkuluar me çmime të vjetra e sa me të reja. Po ashtu ka thënë se në fund shihet edhe dallimi se sa do të kushtonte një faturë e plotë me çmimet e reja.

“Kalkulimi është shumë i saktë, por ka shqetësime në shfaqje të disa parametrave sepse ka qenë e pamundur të shfaqen dyja strukturat në faturë. Është integruar e reja dhe kalkulohen të gjitha komplet sikur të ishte faturë e re, me çmime të reja, por te njoftimi poshtë në faturë është arsyeja sa ditë janë kalkuluar me çmime të vjetra dhe sa është ndryshimi sa do të ishte po të faturohej gjithçka me çmime të reja. Ka dallime vizuale, por totali në fund është i saktë. Kalkulimi ju siguroj të gjithëve se është i saktë”, ka thënë ai.

ZRRE-ja ditë më parë vendosi për shtrenjtim të energjisë elektrike. U vendos edhe bllok-tarifa në 800kWh në muaj. Kushdo që shpenzon më pak se kjo shifër, fatura do t’i vijë pa ngritje, ndërsa mbi 800kWh rryma është më e shtrenjtë. Qeveria ka ndarë 100 milionë euro për subvencionim pas shtrenjtimit të energjisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles