Këtë të shtunë në mbledhjen e komisionit ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran.
Ky koncept dokument parasheh hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit.
“Aty përcaktohen qartë qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond”, thuhet në kumtesë.
“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran”.
Në takim, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Fondi Sovran do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës, duke krijuar kanale të reja për investime të jashtme, përfshirë qasjen në tregjet globale financiare.
“Koncept Dokumenti ravijëzon qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit Sovran. Dokumenti gjithashtu parasheh një strategji që ky Komision dhe Qeveria duhet ndjekur në hapat e ardhshëm që do të përfundojnë me themelimin e vetë Fondit, nisjen e transferit të aseteve strategjike në Fond, si dhe në përmbylljen e mandatit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, është shpehur Kurti.
“Duhet theksuar gjithashtu se, në punën e tij, Grupi Punues ka hasur në interesimin e një sërë institucionesh ndërkombëtare zhvillimore dhe financiare rreth konceptit dhe projektit për Fondin Sovran. Interesim për të mbështetur projektin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës kanë shprehur Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, banka zhvillimoregjermane KfË dhe institucione si Friedrich Ebert Stiftung, ndër të tjerë. Me ecjen tutje të projektit, jam i bindur që interesimi për ta mbështetur projektin në aspekte teknike dhe financiare do të rritet edhe më tej”.