Të hënën më 28 shkurt, Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Riad Rashiti, akuzoi qeverisjen e kaluar se nuk i kishte dërguar mbi 43 mijë euro të mbledhura për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.
Rashiti bëri të ditur se bëhet fjalë për fondin prej 43 mijë e 761 euro që ishte organizuar nga Komuna e Gjilanit më 21 dhjetor 2019 në kuadër të Gala Mbrëmjes “Pak nga ne shumë për Ata”.
“I gjithë kontributi i donatorëve të vullnetit të mirë, për më shumë se dy vite ka mbetur në llogarit bankare të organizatorëve të kësaj mbrëmje, deri më 02 dhjetor 2021 kur janë transferuar në llogari të buxhetit komunal”, ka shkruar Rashiti në rrjetin social Facebook.
Gazeta Enigma ka kontaktuar ish-kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin i cili ka thënë se arsyeja e mosdërgimit të 43 mijë e 761 eurove për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri është pandemia dhe prioritetet që ndërlidhen me pandeminë.
Haziri ka bërë të ditur se parat janë të destinuara për Bashkinë e Lezhës, nga implementuesit e programit “Rotary Club Gjilan”.
“Mjetet janë në bankë ato janë të destinuara për Bashkinë e Lezhës, implemtues të programit janë Rotary Club Gjilan. Arsyeja është vetëm kushtet e pandemisë, asgjë tjetër. Ato para janë të destinuara për Bashkinë e Lezhës”, ka shpjeguar Haziri për Gazetën Enigma.
Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Riad Rashitin. Ai ka zbuluar se për këtë çështje sot është takuar me kryetarin e Komunës, Alban Hysenin që mjetet t’i dërgojnë në afat kohor sa më të shpejtë në Lezhë.
“Sot kemi bisedu në mëngjes me kryetarin e komunës, e kemi bisedu edhe më herët, por sot kemi marrë qëndrim që në ditët e ardhshme ta bëjmë pagesën prej buxhetit të komunës me bartë në në llogaritë që na lejon ligji qoftë në OJQ qoftë në Bashkinë e Lezhës është çështje teknike i definojmë sot e nesër. Ato mjete kanë me u shfrytëzu shpejtë sepse nuk ka arsye që ato mjete janë grumbullu për ndihmë për të prekurit nga tërmeti me qëndru në buxhet të komunës”, tregon Riad Rashiti.
Ai ka zbuluar se po ashtu se në takim kanë qenë prezent edhe nga “Rotary Club Gjilan”.
“Kemi pas takim sot edhe me klubin Rotarian të Gjilanit bashkë me kryetarin e komunës, jemi sqaru jemi dakoordu që ato mjete shpejtë i me i dërgu në vendin e duhur”, thotë Riad Rashiti.
Fadil Rrahmani nga “Rotary Club Gjilani”, ka treguar parat janë dorëzuar më 2 dhjetor të vitit 2021 në thesarin e Kosovës për t’u regjistruar si buxhet dhe pastaj për t’u ridestinuar për projektin e caktuar.
“Ato mjete më 2 dhjetor të vitit 2021 janë dorëzuar në thesarin e Kosovës për t’u regjistru si buxhet dhe pastaj për t’u ridestinu për projektin e caktuar. Sipas informatave që i morëm nga drejtori Riad Rashiti ato janë në llogarinë e komunës dhe tasht vazhdon tutje për të shkuar paratë në destinacionin e caktuar”, tregon Rrahmani.
Rrahmani ka thënë se fondet e mbledhura kanë marrë kohë që të grumbullohen rreth tetë muaj, pastaj deri më 2 dhjetor të vitit 2021 nuk janë prekur nga xhirollogaria e tyre.
“Ato mjete nuk janë grumbulluar në vitin 2019, ato kanë marrë diku tetë muaj për t’u transferuar nga donatorët. Ato janë transferu në një llogari bankare nga tre anëtarë të komisionit që asnjëherë nuk janë prek deri më datën 2 dhjetor 2021 derisa ka dalë një vendim i komunës për t’u riadresu në projektin e caktuar”, ka thënë Fadil Rrahmani për Gazetën Enigma.