Ndalohet për 48 orë i dyshuari 15 vjeçar që e privoi nga jeta 14-vjeçarin nga Prishtina

Ndalohet për 48 orë i dyshuari 15 vjeçar që e privoi nga jeta 14-vjeçarin nga Prishtina

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se është ndaluar i dyshuari, i moshës 15 vjeç, për shkak të dyshimit se ka privuar nga jeta tani të ndjerin, i moshës 14 vjeç, me një mjet të mprehtë.

Prokuroria bën të ditur se, i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të njëjtit, prokurori i Departamentit për të Mitur, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale.

“Ndërsa, me urdhër të prokurorit viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion. Prokurori i çështjes do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, rasti tragjik ka ndodhur ditën e martë në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë rreth orës 07:00.

Policia kishte njoftuar se 14 vjeçari kishte humbur jetën pas lëndimeve të marra nga thika, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar (i mitur), është vetë dorëzuar dhe nga ai është konfiskuar një thikë.   /Gazeta Enigma/.

Related Articles