Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se Kosova nuk mund të ecë përpara pa e përmbyllur dialogun e saj me Serbinë.
“Kosova do të vazhdojë të mbesë në status-quo, nëse ky kontest historik me Serbinë nuk mbyllet një herë e mirë. Kjo ndikon në përparimin e Kosovës. Anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe mekanizma tjera ku do të duhej të anëtarësohej si shtet i pavarur dhe sovran. Është nevojë akute, jetike për Kosovën që një herë e mirë ta mbyllë këtë temë pasi nuk kemi të ardhme pa mbyllur kontestin historik me Serbinë“, tha ai.
Hyseni thotë se për sa kohë mbetemi në të ngrirë, rajoni rrezikon të bëhet si Palestina.
“Për sa kohë mbetemi në gjendje të ngrirë, edhe Kosova, edhe Serbia dhe çdo shtet i rajonit rrezikojmë të bëhemi rajon i konflikteve sikur Palestina. Tingëllojnë bukur deklaratat politike sikur sundimi i ligjit dhe luftimi korrupsionit, të cilat unë i përkrahu fuqishëm. Përsëri po them, zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi krijon kushtet për këto”, ka thënë ai në T7.