Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se e kanë dënuar këtë agresion që po ndodh në zemër të Evropës.
Në seancën për rezolutën në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus, Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të shkojë një hap me tej për t’i ndihmuar Ukrainës.
“Kemi kërkuar që Qeveria të ndajë fond të veçantë për t’i dalë në ndihmë Ukrainës. I kemi kërkuar qeverisë t’i strehojë 5000 qytetarë të Ukrainës. Në Ukrainë po mbrohet më shumë sesa sovraniteti i atij shteti. Në Ukrainë tash e 8 ditë po mbrohen të gjitha vlerat njerëzore të lirisë, paqes dhe të drejtës. Në këto vlera qëndron edhe Kosova”, ka thënë ai.
Po ashtu, Krasniqi tha se Kosova duhet të konkretizojë ndihmën ndaj Ukrainës duke krijuar një fond të veçantë për qeverinë dhe qytetarët ukrainas, si dhe në rast nevojë të bëhet nikoqire e refugjatëve që dhunshëm po lënë vendin e tyre.
“Është momenti i duhur që të bëhemi si shtet proaktiv për të ndërmarrë veprime dhe për të realizuar aspiratat tona në ato organizata dhe institucione që ndajmë vlera të përbashkëta. Është një emergjencë institucionale dhe shtetërore, prandaj menjëherë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që edhe përmes rezolutës që të bëjë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës, ku i kemi plotësuar kushtet dhe kur Rusia është përjashtuar, të bëjë aplikimin për të marrë statusin e shtetit kandidat në BE, si dhe aplikimin në NATO për të kërkuar pranimin në partneritetin për paqe si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë”.
Krasniqi tha se në të gjitha këto përpjekje, PDK ofron bashkëpunim të plotë dhe kërkoi unitet të brendshëm./Gazeta Enigma/