Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre shkaku i agresionit rus, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Kurti ka thënë se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.
“Qeveria jonë ka vendosur që të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata janë detyruar që ta lënë atdheun e tyre nga invazioni rus. Në përkrahje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve ne do t’ua mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, ka thënë se strehimi i 20 gazetarëve nga Ukraina në Kosovë është një gjë e qëlluar duke e ditur që ne jemi rreshtuar në anën e Ukrainës.
“Kosova është rreshtuar në anën e Ukrainës, ku edhe më herët ka shpallur gatishmëri që ti pranoj pa marr parasysh se çfarë profesioni kanë”, ka thënë Shala.
Tutje kreu i KMDLNJ ka kujtuar se “edhe më herët Kosova ka pranuar refugjat nga Siria që kanë luftuar me lindjen e mesme”.
Sipas tij edhe tani nuk ka pasur se si të mungoj në përkrahje nga Kosova për Ukrainën.
“Edhe në këtë rast nuk ka mundur të mos pranoj refugjat, ku si fillim ka pranuar që ti pranoj 20 gazetarë, duke ju mundësuar edhe kushte për punë, kjo është një gjë shumë e mirë”, ka përfunduar Shala.
Flutura Kusari, juristja që merret me të drejtën e medias, ka folur rreth strehimit të 20 gazetarëve ukrainas dhe për procedurat që do ti presin këtu.
“Në koordinim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe European Federation of Journalists – EFJ do të strehojmë 20 gazetarë nga #Ukraina në Kosovë, që mbulojnë banesë dhe qira zyre, një shtipend mujor, sigurim shëndetësor ance, dhe shpenzimet e zhvendosjes për 6 muaj”, ka thënë Kusari.
Tutje ajo ka shtuar se “vendimi është në përputhje me qëndrimin e solidaritetit të Kosovës me të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, dhe në frymën e mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut”.
Për pranimin e 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, i cili ka shprehur mirënjohje për këtë veprim nga ana e Kosovës.
“Gazetarët ukrainas po bëjnë një punë të shkëlqyer në një kontekst lufte intensive dhe dezinformimi. Ata e vënë veten në rrezik të madh për interesin publik. I shprehim mirënjohjen e profesionit atyre shteteve, siç është Kosova, që përkrahin kolegët tanë ukrainas. Kjo duhet të shërbejë si shembull për qeveritë e tjera në vende të tjera”, ka thënë Ricardo Gutiérrez.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka falënderuar Kosovën që do të strehojë 20 gazetarë ukrainas.
“Faleminderit shumë që po e mbështetni Ukrainën dhe gazetarët e saj Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dhe Qeveria e Kosovës. #Ne qëndrojmë me Ukrainën. #Ukraina e lirë”, ka shkruar ajo në Tëitter.
Ndërsa ish-deputeti Fisnik Ismaili, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se kompania e reklamave Karrota ofron hapësirë pune për gazetarët nga Ukraina.
“Karrota i ofron hapësirë pune disave nga 20 gazetarët ukrainas që po strehohen në Kosovë. Tavolinë, internet, ambient të mirë pune dhe çfarëdo asistence që mundet me iu dashtë”, ka shkruar Ismaili.
Tutje ai ka shtuar se “kushdo që mirret me këtë çështje dhe mendon se është ide e mirë, me thirrni në telefon”.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ndau 150.000 mijë euro për procedurat e pranimit në Kosovë të gazetarëve nga Ukraina. /Gazeta Enigma/