Presidentja Vjosa Osmani ka folur në Kuvend për nder të 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur sakrificat e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes së tij.
“Neve sot na ka mbledhur në këtë seancë. Krenaria për heroin tonë legjendar, për familjen Jashari, për heronjtë tanë, për qëndresën e popullit tonë”, tha Osmani në foltoren e Kuvendit.
“24 vjet pas sulmit ndaj familjes Jashari, e rënies sa saj heroike, jemi mbledhur ta ripërtërijmë kujtesën për heronjtë tanë”.
“Adem Jashari dhe familja Jashari ngulmuan fort dhe dolën fitimtar ndaj një ideologjie të një regjimi gjenocidal”, u shpreh tutje Osmani.
Presidentja Osmani tha se ndaj familjes Jashari, sikurse edhe ndaj gjithë Kosovës, “rrethimi, torturat, vrasjet e burgosjet po bëheshin përditshmëri”.
“Vepra heroike e komandantit të UCK-së, Adem Jasharit, e sakrifica sublime gjithë familjes Jashari për liri është ngjarja më e rëndësishme e cila ka vënë themelet e shtetit dhe do të mbesë gjithnjë në kujtesën e kombit shqiptar, e do të ruhet aty përjetësisht. Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari shënoi këtë kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, por ndikoi edhe në njohjen e realitetit të trishtë në Kosovë, prandaj edhe në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Pamjet e fëmijëve pleqve e grave u shndërruan për thirrjet e brohoritjeve të vlerave humane”, u shpreh Presidentja.
“Në Evropën e fundshekullit 20 po ndodhte sulmi më i egër i një regjimi totalitar e gjenocidal mbi një familje e mbi një popull, e cila gjithë çfarë kërkonte e donte ishte liria e kombit të vet”.