Haradinaj: Tragjike që Qeveria Kurti refuzoi dy projekte energjetike amerikane, do të japin llogari

Haradinaj: Tragjike që Qeveria Kurti refuzoi dy projekte energjetike amerikane, do të japin llogari

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka hedhur kritika ndaj Qeverisë sa i përket menaxhimit të parasë publike.

Haradinaj në emisionin Infobox në RTV Dukagjini, thotë se Qeveria këtë vit ka vendosur të mos bëjë investime kapitale në rrugë e projekte të mëdha infrastrukturore dhe sipas tij ka mjaft para në buxhet për t’i përdorur për zbutjen e situatës së rëndë ekonomike.

“Ka rrezik që në fund të këtij viti të ketë suficit buxhetor për mos shpenzim të parave”, deklaroi ai.

I pari i AAK-së duke folur për vendimin e sotëm të Qeverisë, thotë se ndihma për fermerët është veprim i vonuar.

“Kursimi i buxhetit derisa njerëzit vuajnë është veprim i gabuar. Nuk veprohet ashtu. Buxheti duhet investuar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se nëse nuk veprohet shpejtë me Ligjin e Pagave, Kosova rrezikon të braktiset nga rinia.

“Paratë që Kurti i ka shpenzuar për dy seanca të Kuvendit do të ishte mirë të shpenzohen për ndonjë ekspertizë për Ligjin e Pagave…Kosova ka para mjaftueshëm para për të zbatuar Ligjin e Pagave”

Haradinaj ka kritikuar Kurtin edhe në raport me refuzimin e disa projekteve energjetike.

Ai thotë se kryeministri ka bërë gabime që ka refuzuar dy projektin energjetik nga kompania Contour Global dhe gazsjellësin e mbështetur nga fondet e MCC amerikane.

“Është tragjike çfarë i kanë bërë këta njerëz këtij populli. Jam i bindur se këta njerëz do të japin llogari për një pozicion të tillë. Të refuzohen 200 milionë euro të dakorduara nga Presidenti Biden për të zgjidhur problemet energjetike të Kosovës, me arsyetimin se po na del shtrenjtë, e tash askush nuk e di sa do të na kushtojë megavati”, deklaroi tutje Haradinaj.

Related Articles