Në vorbullën e krijuar në Kosovë, me ngritjen enorme të çmimeve, shtrenjtimi i energjisë elektrike mbetet një nga “hallet” kryesore për qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Pakënaqësi të shumta nga qytetarët por edhe nga përfaqësues politik janë adresuar tek ZRRE-ja, pas publikimit të tarifave të reja, që hynë në fuqi më 9 shkurt.
Madje, partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka paralajmëruar tashmë se vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë, për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj, do ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese.
Por a janë subjekt i kësaj gjykate vendimet e ZRRE-së?
Gzim Shala, nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), për Gazetën “Enigma” ka thënë se ky vendim nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë.
“Vendimet e ZRRE nuk mund të ngritën si çështje pranë Gjykatës Kushtetuese, përfshirë as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese është i përcaktuar me nenin 113 të Kushtetutës dhe aty nuk figuron që vendimet e natyrës së tillë sikurse ai i ZRRE mund të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi ai.
Një gjë të tillë, sipas Shalës s’mund ta bëjnë as individë. “Jo vetëm organet shtetërore, por as individët nuk do mund të ngitnin pranë Gjykatës Kushtetuese si çështje vendimin e ZRRE, pasi që sigurisht rasti i tyre do shpallej i papranueshëm”.
Njësoj vlerëson edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, i cili ka thënë se vendimet e tilla mund të sfidohen në gjykatat e rregullta, por jo në Kushtetuese.
LEXO EDHE: Rritja e çmimeve, “ankth” për qytetarët e Kosovës
“Vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Ato vendime mund të sfidohen vetëm në procedura pranë gjykatave të rregullta të Kosovës, jo më Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ai.
Ndërkaq, ditë më parë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se partia të cilën ai e drejton ka nisur procedurën e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese vendimin për rritjen e çmimi të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Kjo pasi, siç ka thënë ai, partia që drejton ai, këtë vendim e cilëson si “shkelje rëndë e të drejtave të njeriut”.
Ndërkohë për ngritjen e çmimeve masa konkrete kanë kërkuar nga ekzekutivi edhe përfaqësues të tjerë të partive politike.
Këtyre kritikave të opozitës, iu përgjigj kreu i Qeverisë, Albin Kurti, të mërkurën.
Ai tha se sikurse në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë rritja e çmimeve është e pashmangshme.
“Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ai.
Më 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, pati marr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.
“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë evidencë me 5,9 cent kWh”. / Gazeta Enigma.