Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë sot se marrëveshja me Danimarkën për burgjet është e rëndësishme për Kosovën.
Në një konferencë të përbashkët me homologun danez, Nick Haekerup, Haxhiu tha se kjo është një marrëveshje partneriteti ku Kosova dhe Danimarka janë palë të barabarta.
“Siç jeni në dijeni tashmë Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës, në dhjetor të vitit të kaluar kanë rënë dakord që të hyjnë në një marrëveshje partneriteti si palë të barabarta dhe me përfitime reciproke. Kjo me të drejtë ka zgjuar interesimin edhe të mediave por edhe të qytetareve të dy vendeve tona pasi që konsiderohet si një marrëveshje me peshë të rëndësishme”, tha ajo.
Ministrja deklaroi se ky bashkëpunim do t’i forcojë edhe më tej raportet në mes të Kosovës dhe Danimarkës.
“Gjatë kësaj kohe, pra gjatë negociatave të dy delegacionet kanë treguar seriozitet dhe përkushtim të plotë për çka i falënderoj si ministre. Marrëveshjet me shtete serioze mike i kontribuojnë zhvillimit dhe avancimit të institucioneve tona dhe ngritin në nivel më të lartë funksionim e mirëfilltë të tyre Ky akt do të forcojë bashkëpunimin me Mbretërinë e Danimarkës dhe do të dëshmojë që Kosova është një partner serioz në botën demokratike dhe se do t’i përgjigjet çdo herë aleatëve dhe miqve ndërkombëtar çdo herë duke qenë poashtu konform edhe me interesat e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Më tutje, Haxhiu tha se përmes kësaj marrëveshje po dëshmojnë se janë të hapur për thellimin e reformave.
“Përmes kësaj marrëveshje ne dëshmojmë se jemi të hapur dhe se duam të vazhdojmë thellimin e reformave, nga e cila MD-ja janë përfitues por edhe SHKK-ja të drejtpërdrejtë nga investimet direkte dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të zbatimit të sanksioneve penale në Mbretërinë e Danimarkës. Zotimi ynë është i qartë. Ne do të angazhohemi për forcim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fusha e dimensione më të zgjeruara”, tha ajo./Gazeta Enigma/