Skuadra e Paris Saint Germain do të tentojë që në ditën e sotme (e diele) të mposhtë Bordeaux në kuadër të ligës franceze, kështu për të harruar zemërimin e krijuar pas eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Real Madrid.
Vetëm 17 minuta iu mjaftuan spanjollëve që të përmbysësin epërsinë e Parisit prej dy golave, ku protagonist ishte Karim Benzema, duke realizuar hat-trick.
Trajneri Mauricio Pochettino e pranon se një humbje e tillë është e vështirë për t’u harruar, teksa theksoi se nuk po arrin të flejë natën.
“Të gjithë jemi të zhgënjyer, unë, lojtarët dhe të gjitha ata që janë pjesë e klubit. Zhgënjim i madh, po ne kemi përgjegjësi që ta mbyllim mirë sezonin”, tha Pochettino në konferencën për media para ndeshjes.
“Zhgënjimi i tifozëve është i njëjtë me atë të skuadrës. Tani duhet të gjejmë motivimin e duhur për të fituar kampionatin. Ky duhet të jetë motivimi për të vazhduar”, shtoi ai.
“Humbja kundër Real Madridit nuk më lë të fle natën. Më shkakton shumë zemërim dhe keqardhje, po e përjetoj keq. Por kjo nuk do të thotë se nuk jam i fortë, duhet të vazhdojmë përpara”, deklaroi trajneri argjentinas.
PSG renditet në vend të parë në Ligue 1 me 62 pikë, 12 më shumë se Nice ndjekëse që ka luajtur një ndeshje më shumë.
Djemtë e Pochettinos presin Bordeaux në “Parc des Princes”, takim që fillon në orën 13:00.