Sport Club “Gjilani” është eliminuar nga Llapi në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, llapjanët triumfuan pastër me rezultatin 2-0. Golat për skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina i realizuan Drilon Fazliu dhe Alef Firmino.
Pas ndeshjes kryetrajneri llapjan, Tahir Batatina, ka deklaruar se kur ai i bën zëvendësimet edhe Jose Mourinhon me pas kundërshtarë e shkatërron.
Tashmë ka reaguar edhe Ismet Munishi i SC Gjilanit i cili thekson se raportet me Batatinën i ka shumë të mira dhe se e kupton që e ka nga entuziazmi.
“Raportet me Tahirin (Batatinën) i kam shumë të mira. Jemi miq, por njëherit edhe rival. E kuptoj atë që nga entuziazmi që ka mposhtur një skuadër si Gjilani dhe njëherit i kujtoj që në sport nuk të bën të madh rezultati, por edhe korrektësia. Për këtë arsye unë vazhdoj të mbetem larg nga të tjerët, pasi që i respektojë të gjithë kolegët”, ka thënë Munishi për media.
Gjithashtu, trajneri i “kuqebardhëve” e ka uruar Llapin për kualifikimin dhe se e fton Batatinën në festën e titullit.
“Llapi i uroj fitoren dhe kualifikimin tutje, ndërkohë Tahirin (Batatinën) e ftoj në festën e titullit në Gjilan, pasi që e meriton të jetë prezent”, vazhdoi Munishi.
Për fund Munishi ka potencuar se klubi i Gjilanit është më korrekti në Kosovë.
“Po ashtu duhet të potencoj që Gjilani mbetet klubi më korrekt në Kosovë dhe është një gjenerator i korrektësisë, garës së ndershme dhe ferr” – përfundoi Ismet Munishi.
SC Gjilani në Superligën e Kosovës në futboll renditet në vendin e dytë me tri pikë më pak se lideri, Ballkani.
/GAZETA ENIGMA/