Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të premten refuzoi kërkesën e homologut të tij rus, Vladimir Putin, që Evropa të paguajë me rubla për gazin rus. Lideri francez e akuzoi Moskën se po përpiqet të anashkalojë sanksionet e vendosura për shkak të nisjes së luftës kundër Ukrainës.
Macron u tha gazetarëve pas një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel se ky vendim i Rusisë “nuk është në linjë me atë që është nënshkruar, dhe nuk e shoh se si ne do ta pranojmë” këtë kërkesë.
Më herët gjatë javës Putin bëri kërkesën që për gazin rus të paguhet me monedhën kombëtare ruse, rubla, teksa Moska po përpiqet që ta mbështesë ekonominë e saj që është goditur nga sanksionet e Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Macron tha se “ne po vazhdojmë punën tonë për të analizuar” këtë kërkesë nga Kremlini.
Por, ai insistoi se “të gjitha dokumentet e nënshkruara janë të qarta: kjo është e ndaluar. Prandaj, evropianët që blejnë gaz, e që janë në tokën evropiane, duhet të paguajnë me euro”.
“Prandaj nuk është e mundur që sot të bëhet kjo kërkesë, nuk është në kontratë”, tha ai.
Lideri francez tha se beson se Moska po përdorë këtë hap “si një mekanizëm për t’iu shmangur” sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës.
Po ashtu Gjermania, që është një blerëse e madhe e gazit rus, e ka hedhur poshtë këtë kërkesë të Rusisë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha më 25 mars se kontratat e nënshkruara tregojnë saktësisht se si duhet të paguhet për gazin e blerë.
Evropa po tenton që të ulë varësinë nga gazi rus. Por, vazhdon që të dërgojë qindra-miliona euro çdo ditë në Moskë për pagesa të energjisë, sektor që ende nuk është prekur nga sanksionet.
Disa shtete të BE-së i kanë bërë thirrje bllokut evropian që të ndalojë eksportet kyçe të energjisë së Moskës, por BE-ja ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje.