Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, në 23-vjetorin e vrasjes së 241 banorëve të këtij fshati nga forcat serbe.
Sipas komunikatës thuhet se kryeministri Kurti, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Rahovec, Ejup Kabashi dhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti i përkujtuan me nga një fjalë rasti të rënët.
Gjatë fjalimeve u kërkua që drejtësia për të vrarët e Krushës së Madhe të vihet në vend dhe kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar.
Kryetari Konjufca po ashtu bëri homazhe në varrezat e martirëve të Krushës së Vogël, në 23-vjetorin e masakrës në këtë fshat, ku u vranë dhe u zhdukën 112 burra krushjanë.
Konjufca ka thënë se masakrat në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku dhjetëra familje shqiptare mbetën pa asnjë mashkull, shënojnë vrasjet masive me përmasa gjenocidi, sipas komunikatës.
“Plaga e parë është masakra e përjetuar nga banorët e pambrojtur, plaga e dytë janë të zhdukurit me dhunë dhe e treta mungesa e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre. Dhe jo vetëm për ta, këto vazhdojnë të jenë plagë të hapura në trupin e popullit dhe shtetit tonë, përderisa nuk ndëshkohen kryerësit e gjenocidit në Kosovë. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Konjufca bashkë me kryeministrin Kurti morën pjesë edhe në ceremoninë e rivarrimit të shtatë banorëve të Krushës së Vogël, të cilët deri më tani rezultonin të zhdukur me dhunë nga forcat pushtuese serbe.
Edhe në Krushë të Vogël u kërkua drejtësi për të gjitha krimet që u kryen jo vetëm në këtë fshat, por edhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe zbardhja e fatit të të gjithë personave të pagjetur.
Nga një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajtën kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e fshatit Krushë e Vogël, Shpresa Shehu.
Po ashtu, në 23-vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë, Konjufca, së bashku me kryeministrin Kurti, vizitoi anëtarët e mbijetuar nga kjo masakër.
Ai vendosi lule dhe bëri homazhe te memoriali në sheshin “Martirët e lirisë” dhe vizitoi Muzeun e martirëve të familjes Berisha.