Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fushatës thoshte se do të fitonte 78 mandate.
Kreu i Qeverisë iu rikthye edhe njëherë asaj që e quan “Memorandumi i Kuçit, duke theksuar se e ka arritur atë objektiv.
Në të parën intervistë pas zgjedhjeve që i dhanë mandatin e tretë, Rama tha se partia e tij ka humbur 3 mandate nga votat e pavlefshme.
“Unë dua t’ju jap pak të dhëna mbi shkrimin tim në Kuç. Ne sot kalkulojmë që kemi humbur tre mandate nga votat e pavlefshme. Ne kemi humbur tre mandate bazuar në votat e pavlefshme, se pamë që kishte një rritje të natyrshme të votave të pavlefshme dhe i kërkuam të gjithë numëruesve që të mbajnë një lloj rekordi për si janë ato vota. Shumica dërrmuese e votave të pavlefshme janë një numër votash që janë votuar në mënyrë të habitshme 12 dhe pastaj për votën e kandidatit kanë shkuar, për shembull në Elbasan ka mijëra vota të pavlefshme me 12 dhe 8. 8 ishte numri i Taulantit dhe kishte vota pafund që ishin 12 dhe 8 lart. Në Tiranë po ashtu. Pse e them këtë? E them sepse ne kemi arritur objektivin dhe e kemi tejkaluar objektivin tonë për të thyer tavanin e 800 mijëve dhe ne kemi 3 mandate aty që nuk janë për diskutim. Po të shpjegoj ‘Memorandumin e Kuçit’. Po të them që këtu nuk bëhet fjalë as për vjedhje as për manipulimet, por për një rezultat që ka ardhur si rezultat i një dallimi që vetëm ju nuk e keni parë kur e keni diskutuar në studio por ka qenë i qartë në sondazhe dhe si rezultat i një organizimi që PS-ja e ka organizim kapilar që e bën një makineri fitoreje”, tha Rama në “Opinion”, në RTV Klan.