Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është deklaruar sërish lidhur me zgjedhjet e 3 prillit.
Vuçiq tha se në Kosovë ka 50 mijë votues, por se siç tha ai nuk i ndërron me një jetë njeriu.
“Ka tentativa nga njerëz të papërgjegjshëm për të bërë diçka, kështu që është edhe me zgjedhjet në Kosovë. Unë i marr më shumë se 90 përqind të votave atje. Kanë llogaritur se nuk do të heq dorë nga 50 mijë vota dhe se do të më detyrojnë të futem në këtë, e pastaj të shohin kënd ta dëbojnë nga Kosova. Prandaj iu luta njerëzve që të ruanin paqen dhe ato 50 mijë vota, nëse kjo është diferenca që më duhet, atëherë nuk duhet të jem në pushtet. A është më e rëndësishme vota apo që serbët në Kosovë të jenë gjallë? E di se si do të dukej, serbët do të mbroheshin. A është më e vlefshme një jetë në Kosovë apo 50 mijë vota”, deklaroi Vuçiq.
Ai tha se iu është lutur njerëzve që të ruajnë paqen.
Vuçiq foli edhe për deklaratën nga vendet e QUINT-it.
Madje ai shkoi edhe më tutje duke thënë se deklarata e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ajo e zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi ishin me “paturpësi dhe vrazhdësi”.
“Është kaq e turpshme, kaq arrogante, në deklaratën në të cilën nuk keni rënë dakord për asgjë. As për mënyrën se si serbët të votojnë në zgjedhje, në kohën kur po e pengojnë popullin e Kosovës të votojnë në zgjedhje, a nuk është kjo arrogancë?. Unë duhet të kujdesem për serbët në Kosovë, sepse çdo fjalë që them mund t’i rrezikojë ata”, shtoi Vuçiq.
Sipas tij puna e vetme të cilën po bëjnë vendet e rajonit është të mundohen të ndalojnë Serbinë.
“Ta ndalojnë dhe të rëndojnë Serbinë. Ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë derisa Serbia nuk flet kurrë për ta. Por unë nuk gjunjëzohem, sepse nuk jemi gjunjëzuar as kur ishte fjala për Kosovën.”, shtoi ai.
Ndryshe të dielën do të zhvillohen zgjedhjet serbe, por që ende nuk është thënë fjala përfundimtare nëse do t’u lejohet votimi serbëve në Kosovë, apo ata do të shkojnë në Serbi për të votuar në këto zgjedhje.